Nga Bazeli te Drita: Talenti shqiptar i rritur në Zvicër synon Kosovën 🇽🇰⚽
Altin Mujota, i lindur dhe i rritur në Zvicër, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij futbollistike, duke iu bashkuar skuadrës U19 të Dritës së Gjilanit.
Mujota ka kaluar disa vite në akademinë e FC Basel, një prej klubeve më të njohura në Zvicër, ku është zhvilluar si futbollist që nga moshat e reja. Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tregoi se dashuria për futbollin i ka ardhur nga familja, pasi edhe babai i tij ka qenë i përfshirë në këtë sport.
“Dashuria ka ardhur nga familja. Jemi familje futbollistësh. Babai ka qenë trajner në fillim dhe unë kam nisur të luaj që në moshën trevjeçare”, rrëfeu Mujota.
Pas viteve të kaluara në Zvicër, ai ka vendosur të vijë në Kosovë dhe të vazhdojë karrierën te Drita, klub që e konsideron një prej emrave më të mëdhenj të futbollit kosovar.
“Drita është një emër i madh në Kosovë. Vitet e fundit është shpallur kampione dhe po luan edhe në Evropë. Besoj se është një prej ekipeve më të mëdha në Kosovë, por edhe në Ballkan”, u shpreh ai.
Synimi i madh i Mujotës është përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. 🇽🇰
“Është një ëndërr e madhe të luaj për Kosovën. Ambiciet janë shumë të mëdha. Ambicia më e madhe është ta bëj familjen krenare”, tha talenti i ri.

Mujota luan në pozitën e mesfushorit qendror, me tipare më shumë defanzive, ndërsa kalimi te Drita shihet si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e tij drejt futbollit profesionist.
Nga Zvicra, te Drita e Gjilanit – Altin Mujota tashmë ka nisur rrugëtimin për ta realizuar ëndrrën e madhe: fanellën e Kosovës. 🇽🇰⚽




















