Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar zhvillimet e fundit pas vendimit të partisë së saj për të mos pasur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.

Duke folur në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK-ja mori pjesë në negociata me Vetëvendosjen me qëllim që vendit t’i jepen institucionet, duke theksuar se kjo, sipas saj, kërkon vetëdije të lartë shtetërore.

“Kishte një rrethanë dhe histori të këtij involvimi dhe dashamirësisë sonë dhe respektit e seriozitetit si parti politike që kemi për shtetin e Kosovës. Ne morëm pjesë në negociata, qytetari e ka përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt politik dhe në bazë të fuqisë politike iu përgjigjëm ftesave të kryetarit të VV-së, që doli si partia e parë. Ne e bëmë me vetëdije të plotë për me i dhënë vendit institucione, kjo kërkon vetëdije të lartë shtetërore”, ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se qytetarët janë nxjerrë tri herë radhazi në zgjedhje, ndërsa sipas saj, partia e parë ka përgjegjësinë kryesore për t’i dhënë drejtim institucioneve.

“Ju e dini që edhe në bazë të Kushtetutës është partia e parë që e ka peshën më të madhe për iniciativat, të paktën për konsiderimin e Kuvendit”, është shprehur ajo. Ajo ka thënë se Vetëvendosja aktualisht i ka numrat për formimin e Qeverisë dhe se partitë e tjera nuk e kanë këtë mundësi. Absolutisht, por edhe për Qeverinë, sepse sot e kemi Vetëvendosjen e cila i ka numrat për Qeveri, domethënë e ka mundësinë që t’i formojë këto institucione, derisa partitë e tjera nuk e kanë dhe ne nuk gjetëm një marrëveshje”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Sa i përket negociatave, deputetja e LDK-së ka thënë se në takime është diskutuar për parimet bazë të drejtimit të vendit, por edhe për parimet demokratike mbi bazën e të cilave do të ndahej pushteti.

“Absolutisht, në bisedime është diskutuar për parimet, parimet bazë, sepse duhet të kishim dakordancë për disa parime bazë për drejtimin e vendit tonë, por edhe disa parime demokratike mbi bazën e të cilave ndahet pushteti”, ka thënë ajo.

Megjithatë, sipas saj, gjatë negociatave nuk kishte gatishmëri për një ndarje proporcionale të pushtetit.

“Edhe këtu nuk kishim një gatishmëri që në kuadër të marrëveshjes të kishte një ndarje proporcionale. Ne u ballafaquam me një ofertë e cila ishte jodinjitoze për LDK-në, për aq kohë sa ajo nuk përfaqësonte, as nuk ishte në përputhje me përqindjen e votave që ka marrë partia jonë”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

About Author
Rilindja Shqiptare
View All Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts