Shqiptari nga Kosova pësoi një plagë me thikë në krahun e majtë të sipërm dhe disa prerje në krahë dhe gjoks. Lëndimet e tij nuk janë kërcënuese për jetën
Një 43-vjeçar nga Kosova është plagosur me thikë të shtunën në mbrëmje në Vjenë, pas një përleshjeje me një 30-vjeçar shtetas afgan, raportojnë mediat austriake, përcjell albinfo.at
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 në Sechshauser Gürtel, në distriktin Rudolfsheim-Fünfhaus. Sipas Policisë së Vjenës, mes dy burrave fillimisht kishte shpërthyer një mosmarrëveshje, e cila më pas ishte përshkallëzuar.
Gjatë përleshjes, 30-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar kosovarin me thikë. 43-vjeçari ka pësuar një plagë në pjesën e sipërme të krahut të majtë, si dhe disa prerje në krahë dhe në gjoks.
Policët që ndodheshin rastësisht në patrullë pranë vendit të ngjarjes kanë dëgjuar britmat dhe kanë ndërhyrë menjëherë, duke i ndarë dy burrat. Në vend është sekuestruar edhe një thikë xhepi, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Kosovari është dërguar me ambulancë në spital. Sipas policisë, lëndimet e tij nuk janë kërcënuese për jetën.
30-vjeçari afgan fillimisht është arrestuar dhe ndaj tij është vendosur ndalim i përkohshëm për armëmbajtje, si dhe ndalim hyrjeje në zonën e mbrojtur rreth Fritz-Imhoff-Park. Me urdhër të prokurorisë, ai është proceduar nën dyshimin për lëndim të rëndë trupor dhe më pas është liruar, transmeton albinfo.at
Policia bën të ditur se edhe 43-vjeçari kosovar po hetohet nën dyshimin për përfshirje në sulm. Shkaku i konfliktit dhe rrjedha e saktë e ngjarjes mbeten en ende nën hetim. /Albinfo.ch




















