Mashtrimet ndaj qytetarëve përmes platformës Viber po vazhdojnë. Në numra të ndryshëm të telefonit po dërgohen mesazhe të dyshimta, ku qytetarëve u bëhet e ditur se janë “fitues” të një shpërblimi apo konkursi.
Mesazhet përmbajnë formulime që synojnë të tërheqin vëmendjen dhe të krijojnë besim te qytetari, ndërsa në disa raste përdoren edhe fraza manipuluese që mund të çojnë në presion, mashtrim apo tentativa për shantazh.
Qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të mos hapin linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos komunikojnë me numrat që dërgojnë këto mesazhe.
Në rast se pranojnë mesazhe të tilla, qytetarët duhet t’i raportojnë dhe bllokojnë numrat, si dhe të njoftojnë institucionet përkatëse nëse dyshojnë se kanë rënë pre e mashtrimit.
Kujdes: Një mesazh që ju premton shpërblim, por kërkon të dhëna personale apo veprime të dyshimta, mund të jetë tentativë për mashtrim.




















