Seriali më i ri turk “Mercan Köşk” ka nisur me një sukses të madh, duke marrë vlerësime të larta nga audienca që në episodin e parë të transmetuar në ekranin e ATV-së.
Interesi për serialin është reflektuar fuqishëm edhe në platformat digjitale, ku episodi i parë ka kaluar shifrën prej 6 milionë shikimesh në YouTube brenda një kohe të shkurtër.
“Mercan Köşk” sjell një histori të ndërthurur mes dashurisë, hakmarrjes dhe sekreteve të së kaluarës, e vendosur në sfondin piktoresk të kopshteve me portokalle.
Ngjarja përqendrohet te përplasja e ashpër mes dy familjeve, Mercandağ dhe Hozan, ndërsa konfliktet e vjetra dhe të vërtetat e fshehura fillojnë të dalin në sipërfaqe.
Mbërritja e Cemres në Tarsus ndryshon rrjedhën e ngjarjeve dhe prish balancat e vendosura prej vitesh, duke hapur një kapitull të ri për të dyja familjet dhe brezat e rinj.
Një nga elementet që e bën serialin veçanërisht të rëndësishëm për publikun shqiptar është pjesëmarrja e aktorit dhe këngëtarit të njohur shqiptar, Bertan Asllani, i cili interpreton personazhin e Toprakut.
Në rolet kryesore janë edhe aktorët e njohur turq Kubilay Aka, në rolin e Arasit, dhe Hafsanur Sancaktutan, në rolin e Cemres.
Seriali ka arritur të tërheqë vëmendjen e publikut që në episodin e parë, falë historisë së ngjeshur, përplasjeve mes personazheve, llogarive të fshehta dhe një narrative dinamike që premton zhvillime të reja në episodet e ardhshme.
Pjesë e kastit janë gjithashtu Mehmet Özgür, Zeyno Eracar, Ulviye Karaca, Tülin Özen, Halil Babür, Haki Biçici, Can Bartu Aslan, Zehra Kelleci, Merve Şeyma Zengin, Selin Köseoğlu dhe Berna Cındıl.
Xhirimet e serialit po zhvillohen në ambientet piktoreske të Tarsusit dhe Çukurovës, duke i dhënë historisë edhe një tjetër element të veçantë vizual.
Me një nisje të fuqishme në televizion dhe miliona shikime në YouTube, “Mercan Köşk” është pozicionuar që në fillim si një prej projekteve që ka zgjuar interes të madh te audienca.



















