Aktiviteti “Zjarri i Lirisë” është përmbyllur në Zonën Operative të Karadakut, si pjesë e rrugëtimit nëpër shtatë zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-ushtarë dhe bashkëluftëtarë të UÇK-së, veteranë, familje të dëshmorëve dhe qytetarë u bashkuan në Karadak për të përcjellë mesazhin e mbështetjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Pjesëmarrësit kërkuan drejtësi dhe liri për çlirimtarët, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për luftën e UÇK-së dhe sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
Me aktivitetin në Karadak përmbyllet cikli i “Zjarrit të Lirisë” në shtatë zonat operative, i cili ka bashkuar veteranë, familje të dëshmorëve dhe qytetarë rreth mesazheve për kujtesë, solidaritet, dinjitet dhe drejtësi.
Nga Karadaku u përcoll mesazhi: “Liri për çlirimtarët, nderim për UÇK-në.”
Aktivitetet tani vazhdojnë drejt “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.



















