Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka treguar për takimin e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se ky ishte një tjetër udhëtim drejt Hagës, por kësaj here, sipas tij, gjithçka ishte ndryshe.
Ai tregoi se ishte prekur emocionalisht kur e kishte takuar Thaçin pas vendimit të gjykatës.
“U mërzita shumë kur e takova Presidentin pas vendimit të padrejtë”, ka shkruar Tahiri.
Megjithatë, ai tha se Thaçi ishte i qetë dhe i fortë, duke shprehur besimin se procesi do të korrigjohet në Apel.
Tahiri bëri të ditur se Thaçi u ka dërguar të fala qytetarëve që morën pjesë në protestën në sheshin e Prishtinës.
“Ai ju dërgon të fala nga zemra, secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë”, ka shkruar ai.
Në fund, Tahiri falënderoi protestuesit për solidaritetin dhe pjesëmarrjen në protestë.
“Faleminderit për qëndresën, për solidaritetin dhe për zërin tuaj që nuk u shua”, përfundoi ai.




















