53-vjeçarja, e cila punonte prej rreth një viti e gjysmë në klinikën private në rrugën “Karneadou”, dëshmoi si dëshmitare për ngjarjen. Ajo nuk kishte dhënë më herët dëshmi në fazën paraprake të hetimit, pasi nuk ishte thirrur.
Infermierja tregoi se ndodhej në klinikë në momentin kur Mazonakis po kryente plazmaferezën. Ajo tha se gjatë trajtimit kishte hyrë dy herë në dhomën ku ndodhej këngëtari, për të asistuar mjeken.
“Ndodhesha në ambientet e klinikës dhe hyja e dilja nga dhoma ku kryhej plazmafereza. Hyra në dhomën ku ishte Giorgos Mazonakis dy herë për të ndihmuar mjeken, brenda një intervali prej rreth gjysmë ore. Bashkë me mua hynte edhe një infermiere tjetër dhe e ndihmuam këngëtarin në çështje procedurale. Ishte diçka që e bënim të gjitha çdo ditë”, mësohet të ketë deklaruar ajo.
Sipas dëshmisë, në fillim të trajtimit këngëtari dukej në gjendje të mirë dhe ishte funksional, por më pas pamja e tij kishte ndryshuar.
“Giorgos Mazonakis në fillim të trajtimit ishte funksional dhe mirë, por herët e tjera që hyra në ambient nuk kishte të njëjtën pamje. Megjithatë, nuk mund ta kuptoja se po i ndodhte diçka”, ka rrëfyer infermierja.
Ajo ka treguar gjithashtu momentin kur situata u përkeqësua dhe mjekja njoftoi bashkëshortin e saj.
“Kur ndodhi incidenti, mjekja shkoi te bashkëshorti i saj dhe i tha: ‘Mazonakis nuk është mirë’. Në atë moment mbizotëroi paniku”, ka deklaruar ajo.
Infermierja është ndalur edhe te mbërritja e ambulancës së EKAB-it, duke thënë se stafi i klinikës u habit nga fakti që asnjë prej mjekëve nuk e shoqëroi këngëtarin drejt spitalit.
“Kur ndodhi incidenti, mbizotëroi paniku. Erdhi EKAB-i dhe na bëri përshtypje që asnjë nga mjekët nuk e shoqëroi Giorgos Mazonakis deri në spital”, ka thënë ajo.
Në dëshminë e saj, infermierja ka treguar se ajo dhe koleget e saj mësuan për atë që kishte ndodhur vetëm përmes internetit.
“Ne shkëmbyem edhe mesazhe me njëra-tjetrën, duke pyetur nëse do të shkonim në punë ditën tjetër. Nuk e kishim kuptuar se çfarë kishte ndodhur”, ka deklaruar ajo.




















