Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj deklarimeve të partnerëve të Kosovës nga Bashkimi Evropian lidhur me amendamentet e miratuara për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.
OVL-UÇK ka kundërshtuar pretendimet se ndryshimet e miratuara shkelin detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke thënë se ato janë të paqëndrueshme dhe të papranueshme.
“Pretendimet e partnerëve tanë të BE-së se amendamentet për Dhomat e Specializuara shkelin vetvetiu detyrimet ndërkombëtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe të papranueshme. Asnjë detyrim nuk mund të lërë asnjë institucion jashtë rendit kushtetues, mbikëqyrjes demokratike apo llogaridhënies”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Postimi i plotë:
Pretendimet e partnerëve tanë të BE-së se amendamentet për Dhomat e Specializuara shkelin vetvetiu detyrimet ndërkombëtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe të papranueshme. Asnjë detyrim nuk mund të lërë asnjë institucion jashtë rendit kushtetues, mbikëqyrjes demokratike apo llogaridhënies.
Dhomat u krijuan për të shqyrtuar pretendime të caktuara që burojnë nga raporti i Dick Martyt. Mandati dhe praktika e tyre kanë devijuar nga ai qëllim, duke e kthyer drejtësinë selektive në aktakuzë të zgjatur kundër luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe luftëtarëve që luftuan në të.
Institucionet e Kosovës e kanë për detyrë të mbrojnë sovranitetin shtetëror, barazinë para ligjit dhe dinjitetin e atyre që fituan lirinë tonë. Partnerët tanë duhet të përballen me këtë devijim dhe jo të pengojnë veprimin e ligjshëm parlamentar që e korrigjon atë.


















