Kuvendi i Kosovës do të mblidhet edhe njëherë sot me fillim prej orës 10:00 për të shqyrtuar disa projektligje e rezoluta nga debatet e mëhershme paralamentare dhe interpelancat.
Sot pritet të shihet edhe se cilat do të jenë veprimet e Vetëvendosjes karshi zv/kryeministrit, Driton Selmanaj, shkruan lajmi.net.
Këtë të fundit, VV ka thënë se nuk do ta lë të futet në sallën e Kuvendit, dhe rrjedhimisht në seanca.
“Kuvendi është shtëpia e deputetëve, ne si Lëvizje refuzojmë që ai me qenë i pranishëm se ai nuk duhet të përfaqësojë mendimin e asnjë qeverie. Kulmi i turpit është që ai qëndron ende në pozitën që ka, përveç që nuk ka kërkuar falje po vazhdon me të njëjtin avaz”, ka thënë deputeti i VV-së, Dimal Basha.
Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe deputet i VV-së, Mefail Bajqinovci, mirëpo me një fjalor më të ashpër.
“Ai njeri që u lodhë me punën e të pagjeturve e ka vendin në Beograd jo në Qeverinë e Kosovës…Nuk do ta lejojmë në Kuvend, ai nuk duhet ta marrë më fjalën në Kuvendin e Kosovës. Ai është zv/kryeministër, por me atë fjalor mund të jetë në qeverinë e Vuçiqit e jo këtu”, ka thënë Mefail Bajqinovci.
Deri tani askush nga VV nuk i ka bërë të ditura mjetet që do të përdoren për pengimin e Selmanajt që të marrë pjesë në seancën e Kuvendit.