Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të blejë grurin e fermerëve vendorë për rezervat shtetërore, duke kundërshtuar importet e kushtueshme. Sipas AKB-së, fermerët po përballen me mungesë tregu, hapësirash për deponim dhe çmime shumë të ulëta prej vetëm 16–18 centë për kilogram.

AKB rikujton se blerja e grurit nga importi për rezervat shtetërore ka qenë objekt hetimesh nga drejtësia, ndërsa vlerëson se këtë vit shteti duhet të orientohet te prodhimi vendor.

Sipas AKB-së, nëse vite më parë gruri është blerë nga Turqia me rreth 0.47 euro për kilogram, blerja e grurit nga fermerët kosovarë do të mbështeste bujqësinë, do të forconte sigurinë ushqimore dhe do të kursente para nga buxheti.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se Kosova nuk duhet të importojë atë që fermerët e saj e prodhojnë, duke kërkuar që rezervat shtetërore të shërbejnë si mbështetje për ekonominë vendore.

AKB u bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa urgjente për grumbullimin e grurit vendor, zgjerimin e kapaciteteve depozituese dhe krijimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhuesit kosovarë.

Postimi i plotë:

Rezervat shtetërore me grurë vendor, jo me importe të shtrenjta – AKB kërkon veprim urgjent të Qeverisë

Gruri i fermerëve vendorë duhet të jetë prioritet për rezervat shtetërore – jo importi me kosto të lartë.

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shprehet  për situatën e krijuar me fermerët e Kosovës gjatë sezonit të korrje-shirjeve, ku prodhuesit vendorë po përballen me mungesë tregu, mungesë të hapësirave për deponim dhe çmime jashtëzakonisht të ulëta prej vetëm 16–18 centë për kilogram.

Fermeri kosovar ka investuar, ka punuar dhe ka prodhuar, por në fund po përballet me pasiguri se ku do ta dorëzojë prodhimin e tij. Kjo është një goditje për bujqësinë vendore dhe për sigurinë ushqimore të Kosovës.

AKB rikujton se çështja e blerjes së grurit për rezervat shtetërore nga importi ka qenë objekt i hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Gjykata Themelore ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe disa zyrtarëve të tjerë të MINT-it lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Sipas raportimeve për aktakuzën e këtij rasti, janë ngritur dyshime lidhur me blerjen e grurit për rezervat shtetërore me çmime të larta krahasuar me tregun dhe me pasoja të pretenduara për buxhetin e shtetit.

AKB thekson se sot, se nuk duhen të përsëriten praktika ku shteti mbështetet në import, duhet të krijohet një mekanizëm që rezervat shtetërore të furnizohen nga prodhuesit vendorë.

Nëse para 3-4 vitesh gruri për rezervat shtetërore është blerë nga Turqia për rreth 0.47 euro për kilogram, atëherë është e domosdoshme të analizohet seriozisht mundësia që këtë vit shteti ta blejë grurin nga fermerët kosovarë, të cilët po e ofrojnë prodhimin me 16–18 centë për kilogram.

Kjo do të sillte tri përfitime të mëdha ,do t’i mbështeste drejtpërdrejt fermerët vendorë,do ta forconte sigurinë ushqimore të Kosovës dhe do të kursente mjete të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Kosova nuk duhet të importojë atë që fermeri ynë e prodhon me mund dhe sakrificë. Rezervat shtetërore duhet të jenë mbështetje për ekonominë vendore, jo vetëm një proces blerjeje. Nëse shteti ka nevojë për grurë për rezervat strategjike, zgjidhja më e drejtë ekonomike është ta blejë atë nga fermerët tanë. Kjo është në interes të buxhetit, prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës.

AKB kërkon nga institucionet përgjegjëse që urgjentisht të ndërmarrin masa për grumbullimin e grurit vendor, krijimin e kapaciteteve depozituese dhe garantimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhuesit kosovarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts