Një aksident hekurudhor urban ka ndodhur në qytetin Hanover të Gjermanisë, ku dy tramvaje janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur të paktën 12 persona.
Sipas autoriteteve lokale, shumica e të lënduarve kanë pësuar plagë të lehta dhe disa prej tyre janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.
Policia gjermane dyshon se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një defekt në sistemin e kontrollit të binarëve, i cili ka bërë që njëri prej tramvajeve të devijojë nga linja e tij.
Pas përplasjes, të dy tramvajet kanë dalë nga shinat, ndërsa një pjesë e platformës në një stacion është dëmtuar nga goditja.
Shërbimet emergjente kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke evakuuar pasagjerët dhe duke rikthyer më pas tramvajet në shina me pajisje të specializuara.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa qarkullimi i tramvajeve është rikthyer në normalitet pas disa orësh ndërprerjeje.






























