Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ka qenë sot pranë bashkatdhetarëve në Pikën Kufitare Bajakovo, ku ka shpërndarë ujë dhe pako ushqimore për udhëtarët që po prisnin të kalonin kufirin, për shkak të fluksit të shtuar gjatë sezonit veror.
Sipas Ambasadës, megjithëse kolonat e automjeteve janë të gjata, koha aktuale e pritjes për kalimin e kufirit është rreth 10 deri në 15 minuta. Në funksion janë tetë korsi hyrëse, ndërsa autoritetet kroate po punojnë për të siguruar një qarkullim sa më të shpejtë dhe efikas.
Ambasada pëe Dukagjinin bëri të ditur se kolonat janë kryesisht pasojë e zbatimit të Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar dhe ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të qarkullimit.
Po ashtu, Ambasada falënderoi Hakif Qenajn për dhurimin e pakove ushqimore të shpërndara për udhëtarët, duke e vlerësuar kontributin e tij si një akt solidariteti dhe kujdesi ndaj bashkatdhetarëve.
Ambasada e Kosovës theksoi se do të vazhdojë të monitorojë situatën në pikat kufitare dhe të ofrojë mbështetje për qytetarët sa herë që kjo të jetë e nevojshme, duke u uruar të gjithë bashkatdhetarëve një udhëtim të sigurt dhe të mbarë.




















