Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e digjitalizimit të administratës publike.

Marrëveshja mundëson ndërlidhjen e sistemeve elektronike të dy institucioneve, duke krijuar kushte për shkëmbim të sigurt dhe të kontrolluar të të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas marrëveshjes, ATK-ja do t’i ofrojë APK-së qasje në të dhënat e nevojshme për zhvillimin e procedurave administrative, ndërsa APK do t’i mundësojë ATK-së qasje në sistemin elektronik të deklarimit të pasurisë për ushtrimin e kompetencave të saj ligjore.

Aspektet teknike dhe mënyra e shkëmbimit të të dhënave do të rregullohen përmes një Procedure Standarde të Operimit, e cila do të garantojë sigurinë, autorizimin dhe mbrojtjen e të dhënave.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe transformimi digjital janë kyç për rritjen e efikasitetit të institucioneve publike, duke shtuar se ndërlidhja e sistemeve do të përshpejtojë proceset e verifikimit dhe do të forcojë mbrojtjen e interesit publik.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve dhe rritjes së efikasitetit institucional.

Sipas institucioneve, ky bashkëpunim pritet të shërbejë si model edhe për zgjerimin e shkëmbimit të të dhënave me institucione të tjera, me qëllim përmirësimin e koordinimit në trajtimin e rasteve komplekse të verifikimit të pasurisë dhe hetimeve administrative.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts