Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka reaguar pas një publikimi të bërë sot nga Halil Geci, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tij.
Tahiri ka thënë se Geci i ka atribuar qëndrime të cilat, nuk i ka shprehur dhe e ka etiketuar me formulime fyese.
“I bëj thirrje publike z. Halil Geci që ta largojë dhe ta tërheqë menjëherë publikimin e tij të sotëm, përmes të cilit më atribuon qëndrime që nuk i kam shprehur dhe më etiketon me formulime fyese, të papranueshme dhe të cilat tejkalojnë kufijtë e kritikës publike.
Deklarata ime se “Albin Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund të krijojë një Republikë të re” është dhënë qartësisht në kontekstin e mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, të Kushtetutës dhe të institucioneve të saj.
Pretendimi se unë “e dua Republikën e vjetër serbe”, si dhe etiketimi “Tahirovski i Serbisë”, përbëjnë shtrembërim të deklaratës sime dhe fyerje të papranueshme, e cila cenon drejtpërdrejtë reputacionin dhe integritetin tim personal e publik.
Në kuptim të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, kërkoj nga z. Geci që publikimin ta largojë dhe të kërkoj falje publike ndaj meje.
Në të kundërtën, mbrojtjen e reputacionit dhe të drejtave të mia do ta kërkoj në Gjykatë”, ka shkruar Tahiri.




















