Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka rinovuar licencat e shërbimit për shtatë kompanitë rajonale të ujësjellësit (KRU), si dhe për ndërmarrjen hidroekonomike “Ibër-Lepenci” sh.a.
Licencat e reja janë lëshuar për një periudhë pesëvjeçare, nga 11 shtatori 2026 deri më 10 shtator 2031.
Licencat iu dorëzuan në mënyrë solemne kryeshefave ekzekutivë të këtyre kompanive:
- KRU “Prishtina” sh.a., Prishtinë;
- KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a., Prizren;
- KRU “Hidrodrini” sh.a., Pejë;
- KRU “Gjakova” sh.a., Gjakovë;
- KRU “Mitrovica” sh.a., Mitrovicë;
- KRU “Bifurkacioni” sh.a., Ferizaj;
- KRU “Hidromorava” sh.a., Gjilan;
- N.H. “Ibër-Lepenci” sh.a., Prishtinë.
Me rastin e ceremonisë, zëvendësdrejtori i ARRU-së, Abedin Azizi, falënderoi kompanitë për angazhimin e tyre në ofrimin e shërbimeve të ujit për konsumatorët, si dhe për bashkëpunimin gjatë procesit të licencimit.
Azizi theksoi se licencimi i ofruesve të shërbimeve të ujit është një nga përgjegjësitë kryesore të ARRU-së, përmes së cilit vlerësohen dhe verifikohen kapacitetet teknike, financiare dhe menaxheriale të kompanive.
Sipas tij, licenca përcakton detyrimet ligjore dhe rregullatore të ofruesve, shërbimet e licencuara, zonën e shërbimit dhe kushtet në të cilat duhet të operojnë.
“Licenca e shërbimit është përgjegjësi dhe detyrim për ju që të ofroni shërbime cilësore, efikase dhe të sigurta për të gjithë konsumatorët tuaj pa dallim, si dhe të kujdeseni për qëndrueshmërinë financiare të kompanive tuaja”, deklaroi Azizi.
Në emër të bordit të drejtorëve të SHUKOS-it, fjalën e mori kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, i cili falënderoi ARRU-në për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, jo vetëm gjatë procesit të licencimit, por edhe përgjatë gjithë veprimtarisë së kompanive.
Ceremonia u përmbyll me dorëzimin e licencave nga Abedin Azizi te kryeshefat ekzekutivë të KRU-ve dhe N.H. “Ibër-Lepenci”.
ARRU-ja bëri të ditur se do të vazhdojë të ofrojë përkrahje dhe mbështetje për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve të ujit në Kosovë.



















