Kryeministri i Republikës së Kosovës ,Albin Kurti, po vazhdon të thurë lavde me rimë për fitoren e 14 Shkurtit dhe po vazhdon të vajtojë me zemër të plasur për humbjen e 17 Tetorit. Ai po e lavdon popullin (votuesin) e 14 Shkurtit që atij i dha KREJT pushtetin që kërkoi dhe po e shantazhon popullin (votuesin) e 17 Tetorit që e ndëshkoi me votë duke i dhënë KREJT PAK pushtet në nivelin lokal.
Pra, (sipas fjalës së tij të fundit të mbajtur me strukturat e Vetëvendosjes) populli bëri mirë që e votoi masovikisht më 14 Shkurt dhe kështu i dha vendit një KREJT Qeveri të mirë, një Qeveri punëtore, një Qeveri të suksesshme, një Qeveri me duar të pastra, por ky popull, më 17 Tetor bëri keq që i votoi masovikisht partitë e tjera dhe KREJT PAK Vetëvendosjen.
Pra sipas logjikës politike të Albin Kurtit, tash në nivelin Qendror gjithëçka është në rregull, por pas 17 Tetorit, krimi dhe korrupsioni paska zbritur në nivel lokal, prandaj tash e tutje Qeveria Qendrore do të bëjë “luftë” me Qeveritë lokale për ta çrrënjosur këtë krim dhe korrupsion.
Ky narracion politik i Albin Kurtit është sa diskriminues aq edhe fyes e pshtërues. Pra sipas Kurtit në Kosovë paska dy lloj popujsh, ose një popull me dy fytyra!
Pra paska POPULL TË MIRË të 14 Shkurtit dhe POPULL TË KEQ të 17 Tetorit!
Kjo logjikë politike na rikujton luftën e klasave të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.
Enveri mendonte se Partia është e pastër si loti ndërkaq të tjerët (fshatarësia, malësorët e Veriut) ishin armiq të popullit!
Ky ligjërim politik i Albin Kurtit është oportunist.
Albini është akomoduar mirë në pushtetin qendror, është në pushtet por ky pushtet nuk po e kënaq. Ai edhe më tutje po do të luajë rolin politik të opozitarit, prandaj tash kur e ka fituar pushtetin në nivelin qendor, po i shpall luftë (do që ta bëjë opozitën) me 24 pushtet lokale në të cilat ai dhe Vetëvendosje kanë pësuar humbje më 17 Tetor.
Albin Kurti po del të jetë mashtruesi politik ma i madh i kohës tonë.
Ai edhe në kohën e territ më të madh energjetik në vend, flet për rritje ekonomike duke mos e përmendur rritjen e çmimeve në të të të gjitha produkteve elementare të jetës në Kosovë.
Ai edhe më tutje i vajton dhe i shan qeveritë e kaluara sepse sipas tij, e paskan shtrirë shtetin përtoke, në ndërkohë që në kabinetin e tij një ministër (Liburn Aliu) dhe shefja e GP të VV-së (Mimoza Kusari Lila kanë dosje hetimesh në prokurori të dyshuar për korrupsion.
Ai i ka kritikuar qeveritë e kaluara për nepotizëm e familjarizëm (kushërinjët e dajallarët janë për dasma) e me të ardhë në pushtet ka rehatuar axhën Glauk Konjufcës, motren dhe vajzën e axhës së ministrit Liburn Aliu, familjari i zvk. Besnik Beslimi, mbesa e deptetetit te VV-së Jahja Koka, e shumë zyrtarë e aktivistë të VV-së nëpër Ministri e Borde të Pavarura si në PTK, KEK etj.
Albin Kurtit nuk po i bie taman kostumi qeveritar me kravatë e këmishë të bardhë në postin e Kryeministrit.
Ai është lindur e rritur për të qenë gjithmonë i rrebeluar. Ai e refuzon përgjegjësinë e pushtetit (gjithë ditën duke i akuzuar të tjerët)
Ai e do me shpirt aktivitetin e tij politik opozitar për t’u shkarravitur në asfalt, për të hedhur gurë kundër policëve të Kosovës, për të hedhur gas lotësjellës në Kuvend…
Albin Kurtit nuk po i mjafton KREJT pushteti i 14 Shkurtit.
Ai po qan pse nuk e mori edhe KREJT pushtetin e 17 Tetorit!
Liderët politikë që kanë synuar KREJT dhe vetëm KREJT zakonisht kanë përfunduar si diktator.
Albin Kurti nuk do të arrijë të bëhet i tillë, sepse ka ikur koha e diktatorëve dhe se mashtrimet politike në Kosovë nuk zgjasin më shumë se 7 apo 8 muaj!