Federata e Futbollit të Belgjikës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për ta lejuar Folarin Balogun të luajë në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Belgjikës.
Në një deklaratë zyrtare, federata belge shprehet se është “e habitur” nga vendimi i FIFA-s për ta shpallur Balogunin të gatshëm për këtë sfidë, pavarësisht kartonit të kuq që kishte marrë.
Sipas RBFA-së, FIFA e ka mbështetur vendimin në nenin 27 të Kodit Disiplinor, i cili i jep Komisionit Disiplinor të drejtën të pezullojë zbatimin e një dënimi të vendosur më parë.
Megjithatë, federata belge argumenton se neni 66.4 i të njëjtit Kod Disiplinor përcakton qartë se një karton i kuq sjell automatikisht pezullim për ndeshjen e ardhshme të ekipit, siç ka ndodhur me të gjitha rastet e mëparshme gjatë këtij Botërori.
RBFA thekson gjithashtu se vendimi bie ndesh edhe me nenin 10.5 të Rregullores së Kupës së Botës 2026, ku thuhet se çdo lojtar i ndëshkuar me karton të kuq, qoftë direkt apo pas dy kartonëve të verdhë, pezullohet automatikisht për ndeshjen pasuese, ndërsa mund të përballet edhe me sanksione shtesë.
Federata belge shton se kjo dispozitë është ritheksuar edhe në Qarkoren nr. 16 të FIFA-s, të shpërndarë më 12 maj 2026 për të gjitha federatat pjesëmarrëse, si dhe në çdo takim koordinues para ndeshjeve të Kupës së Botës.
Në fund të reagimit, Federata Mbretërore e Futbollit e Belgjikës njofton se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore për të mbrojtur të drejtat e ekipeve pjesëmarrëse dhe parimet e lojës së ndershme.
“Për të mbrojtur të drejtat legjitime të të gjitha skuadrave pjesëmarrëse dhe parimet themelore të fair play-t, si në këtë Kupë Bote ashtu edhe në edicionet e ardhshme, RBFA po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme”, thuhet në deklaratë.




















