Transferimi i Fisnik Asllanit te RB Leipzig ka dështuar në momentet e fundit, duke e lënë sërish të hapur të ardhmen e sulmuesit shqiptar.

23-vjeçari i Hoffenheimit kishte arritur marrëveshje me klubin gjerman, i cili kishte aktivizuar klauzolën e largimit prej 25 milionë eurosh. Me bonuset, vlera totale e transferimit mund të arrinte deri në 30 milionë euro.

Asllani kishte rënë dakord edhe për kushtet personale me Leipzigun dhe pritej të nënshkruante kontratë deri në vitin 2031. Megjithatë, marrëveshja nuk është finalizuar pasi gjatë kontrollit mjekësor janë evidentuar probleme që kanë bërë që klubi gjerman të tërhiqet nga operacioni.

Për momentin nuk janë bërë publike detaje të sakta rreth problemit të evidentuar gjatë ekzaminimeve dhe as nëse bëhet fjalë për një shqetësim serioz.

Dështimi i transferimit te Leipzig ka rikthyer në skenë Barcelonën, e cila e ka monitoruar situatën e sulmuesit shqiptar gjatë kësaj vere. Klubi katalunas mund ta shqyrtojë sërish mundësinë për të bërë një lëvizje për 23-vjeçarin, tashmë që ai mbetet i disponueshëm në treg.

Në garë mund të rikthehet edhe Borussia Dortmundi, që më herët kishte shfaqur interesim për Asllanin. Klubi gjerman kishte humbur terren në garën për sulmuesin gjatë muajit korrik, kur Leipzig u shndërrua në destinacionin e preferuar të tij.

Interesimi për Asllanin është rritur ndjeshëm pas sezonit të fundit, në të cilin ai regjistroi 11 gola dhe 8 asistime në 35 paraqitje me Hoffenheimin.

Tani, pas dështimit të marrëveshjes me Leipzigun, Asllani mbetet pjesë e Hoffenheimit, ndërsa e ardhmja e tij pritet të vendoset gjatë ditëve në vijim. Barcelona dhe Borussia Dortmundi janë ndër klubet që mund të rikthehen në garë për sulmuesin shqiptar, ndërsa Hoffenheimi pritet të përcaktojë kushtet për një transferim të mundshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts