Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani ka suspenduar nga detyra Driton Gashin, sekretarin e Zyrës së Presidentit, shkruan Gazeta Blic.
Gazeta Blic ka siguruar dokumentin e shkarkimit të Driton Gashit, nga pozita e sekretarit të Zyrës së Presidentit.
Në arsyetimin e shkarkimit të Driton Gashit, thuhet se ai dyshohet se ka bërë shkelje të rëndë të detyrës.
Gjithashtu, atij i ndalohet qasja në Presidencë dhe në dokumentet zyrtare të këtij institucioni.
Suspendimi i Driton Gashit nga presidentja në detyrë ndërlidhet me tentim-hapjen e kasafortës së sigurisë.
Ngjarja kishte ndodhur në ditën e parë të punës së Vjosa Osmanit në Presidencë.
Vendimi për shkarkimin e Driton Gashit nga pozita e Sekretarit në Zyrën e Presidentit
Një pjesëtar i AKI-së dyshohet se kishte shkuar në Presidencë dhe në prezencën e sekretarit Driton Gashi, kishte tentuar ta hapte kasafortën e sigurisë ku ndodheshin dokumentet e klasifikuara.
Justifikimi që kishin dhënë ishte se EULEX-i donte ta bastiste Presidencën, informatë që misioni evropian e pati përgënjeshtruar pastaj.
Gazeta Blic, ditë më parë pati sjellur detaje ekskluzive nga kjo ngjarje.
https://gazetablic.com/detaje-ekskluzive-prapaskenat-e-tentim-vjedhjes-se-dokumente-sekrete-ne-kasaforten-e-presidences-se-kosoves/embed/#?secret=vZjfS1Yi8Y
Mirëpo, të enjten, Gashi ka mohuar hapjen e kasafortës. Ka thënë se dëshmitar i ngjarjes ka qenë edhe Vjosa Osmani.
“Unë kam qenë dëshmitar në këtë ngjarje bashkë me u.d. e presidentes dhe zyrtarin e AKI-së. Unë jam dëshmitar i ngjarjes krahasuar me të tjerët që po deklarohen në studio se është hapur sefi. Nuk është hapur sefi”, tha Gashi të enjten në mbrëmje.
Ai po ashtu u shpreh se çdo gjë është bërë në mënyrë protokolare, “është njoftuar AKI jo për të marrë informacione, por ka ndodhur për shkak se informacionet kanë qenë të AKI për presidentin”.
Driton Gashi, para se të bëhej sekretar në Presidencë, kishte qenë shef i AKI-së.
Ai ishte zgjedhur sekretar i Zyrës së Presidentit në kohën kur ky institucionet udhëhiqej nga Hashim Thaçi.
Suspendimi i tij nga detyra ka ndodhur një ditë pas koordinimit mes u.d. të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Avdullah Hoti për lirimin nga detyra të Kreshnik Gashit, shefi të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Kërkesa e Hotit për lirimin nga detyra të kryespiunit të Kosovës, po ashtu dyshohet se ndërlidhet me përfshirjen e një inspektori të AKI-së në incidentin e kasafortës së Presidentit.
Kreshnik Gashi dhe Driton Gashi janë të dy ish-bashkëpunëtorë të Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë. Para se të emërohej shef i AKI-së më 2019, Kreshnik Gashi kishte ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë kohës së Thaçit kryediplomat. Kishte mbajtur pozita edhe në Autoriteti Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.