Franco Mastantuono pritet të largohet nga Real Madridi vetëm pak kohë pasi u transferua me shumë bujë te gjiganti spanjoll.
Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e klubit janë të gatshëm t’i japin dritën jeshile largimit të talentit argjentinas në formë huazimi gjatë kësaj vere.
Huazimi nuk do të përfshijë asnjë klauzolë blerjeje, pasi Real Madridi e konsideron Mastantuonon një pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë.
Ideja e klubit është që 18-vjeçari të fitojë më shumë minuta dhe përvojë në nivel të lartë, përpara se të rikthehet në “Santiago Bernabeu”.
Situata e Mastantuonos shihet në mënyrë të ngjashme me atë të Endrickut, duke synuar që zhvillimi i tij të vijojë përmes një huazimi të mirëplanifikuar.
Interesimi për mesfushorin ofensiv është i madh, me më shumë se pesë klube nga Spanja dhe liga të tjera evropiane që kanë shprehur gatishmërinë për ta marrë në huazim. Në javët në vijim pritet të merret vendimi përfundimtar mbi destinacionin e tij të ardhshëm.
Real Madridi mbetet i bindur se Mastantuono është një nga talentet më premtues të futbollit botëror dhe se huazimi do të jetë një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e tij drejt ekipit të parë të “Los Blancos”.




















