Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që jostabiliteti institucional dhe pasiguria politike mund të kenë mbi ekonominë e Kosovës.
Gërxhaliu përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka vlerësuar se një ekonomi mund të përballojë sfida si inflacioni, kriza energjetike dhe presionet ndërkombëtare, por situata bëhet shumë më e vështirë kur këtyre u shtohet edhe mungesa e stabilitetit institucional dhe pasiguria politike.
“Një ekonomi mund të përballojë edhe inflacionin, edhe krizën energjetike, edhe presionet ndërkombëtare, por e ka shumë më të vështirë kur këto shoqërohen me jostabilitet institucional dhe pasiguri politike”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas tij, prioritet duhet të jetë krijimi i një klime në të cilën politika nuk e pengon zhvillimin ekonomik.
Ai ka kërkuar stabilitet institucional, dialog politik dhe sundim të ligjit, si dhe përshpejtim të reformave. Në fokus, sipas tij, duhet të jetë edhe përdorimi më efikas i fondeve të Bashkimit Evropian dhe krijimi i kushteve më të favorshme për investimet vendore dhe të huaja.
“Prandaj, prioritet duhet të jetë krijimi i një klime ku politika nuk e pengon ekonominë: stabilitet institucional, dialog politik, sundim ligji, përshpejtim reformash, përdorim më efikas i fondeve të BE-së dhe krijim kushtesh për investime vendore e të huaja”, ka shkruar Gërxhaliu.




















