Florije Zatriqi, gjyqtarja nga Peja e cila e ka dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim një akt të dhunimit seksual ndaj një të miture 15 vjeçare, pak vite më parë e kishte dënuar me 6 vite burgim një akt të vjedhjes së 3 viçave dhe një kali.
Këtë vendim e kishte marrë në gusht të vitit 2018 dhe katër të akuzuarit i kishte dënuar me nga 1 vit e gjysmë burgim.
Ata e kishin pranuar në gjykatë se në një stallë i kishin vjedhur 3 viça, të cilët më pas i kishin ngarkuar në veturë. Sipas prokurorisë të njëjtit e kishin vjedhur edhe një kalë të cilin e kishin bartur me rimorkio.
Kaq e ashpër gjykatësja nuk ishte edhe me aktin e dhunimit të 15 vjeçares në Gjakovë, pasi për një vepër të dënueshme nga 5 deri në 20 vite burgim i ka shqiptuar vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunuesin.
Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit për dhunimin e 15 vjeçares, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se “viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”.
Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në janar të vitit 2012.
Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P. K. së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.
Sipas Prokurorisë, pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.
E mitura kishte arritur të ikte nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.
Ky rast ishte gjykuar edhe më herët mirëpo dënimin e shqiptuar me dy vite e kishte prishur Gjykata e Apelit pasi e kishte vlerësuar si të vogël dhe të paarsyetuar.
Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P. K. e kishte pranuar fajësinë.
Pas publikimit të vendimit pati reagime nga udhëheqësit e sistemit të drejtësisë.
Përmes një komunikate publike kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, kërkoi ndërmarrjen e masave kundër gjyqtares Zatriqi.
Të njëjtën kërkesë e parashtroi edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kundër prokurores së rastit.
Pa reaguar nuk mbeti as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se vendime të tilla nuk i përkrahin viktimat.