Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës me ç’rast është zhvilluar kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit.
Sipas njoftimit, ky rast është hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së.
Policia bën të ditur se personi i dyshuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka arritur që të siguroj në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare si dhe personale, kryesisht të shtetasve nga ShBA-të, pastaj këto të dhëna i ka vënë në dispozicion për qëllime keqpërdorimi duke i vendosur në platforma të caktuara online.
“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë. Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së. Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.”, thuhet në njoftim.




















