Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se nuk ka pranuar ndonjë shkresë zyrtare për ndryshimin e organizimit të procesit mësimor si rrjedhojë e masave anti-COVID.
Sipas njoftimit nga UP-ja gjithashtu nuk është përcjellë ndonjë vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave për studentët.
“Universiteti i Prishtinës njofton studentët, stafin akademik dhe administrativ, si dhe palët e interesuara që deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga instancat përgjegjëse për ndryshim të organizimit të procesit mësimor në UP, në rrethanat e pandemisë Covid-19. Njëherësh, në adresën e UP-së nuk është përcjellë ndonjë vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave për studentët tanë”, thuhet në njoftim.
Universiteti i Prishtinës ka informuar se deri në pranimin e vendimeve zyrtare nga organet kompetente, do të vazhdojë implementimin e vendimeve në fuqi.
Parlamenti studentor të mërkurën në mbrëmje ka njoftuar se nga një marrëveshje me Qeverinë në detyrë, ndër të tjera është arritur që të hiqen të gjitha pagesat për studentët e nivelit bachelor.