Shorti i gjysmë-finaleve për garën e ‘Eurovision 2024’ u zhvillua të mërkurën në Malmo të Suedisë, bashkë me një ceremoni ku simboli i qytetit pritës kaloi nga nikoqirët e vitit të kaluar në Liverpool tek miqtë suedezë.
Gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 7 maj, e dyta më 9 maj dhe finalja e madhe më 11 maj.
Shorti i gjysmë-finaleve u transmetua në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube dhe, në Mbretërinë e Bashkuar, në BBC 2 dhe në shërbimin e transmetimit të BBC, iPlayer.
Nga shorti i hedhur rezultoi se Shqipëria do të garojë në natën e dytë gjysmëfinale të ‘Eurovision 2024’, në gjysmën e parë të shteteve garuese, të cilat janë plot 16 – pra tetë këndojnë në gjysmën e parë dhe tetë në gjysmën e dytë.
Në rastin konkret, Shqipëria ka pasur “fatin e keq” që të jetë në natën ku ka më shumë shtete në konkurrim, pasi në natën e parë janë vetëm 15 shtete garuese – me çka probabileti për të shkuar në finale do të ishte më i madh.
Shqipëria sivjet përfaqësohet në ‘Eurovision’ nga këngëtarja e njohur shqiptare, Besa Kokëdhima, me këngën “Zemrën n’dorë”.