Pas koncertit spektakolar të mbrëmjes së djeshme në Tiranë, Kanye West, i njohur tashmë si Ye, ka publikuar një mesazh falënderimi që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

Në postimin e tij në rrjetin social X, artisti amerikan ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë shqiptarëve, duke theksuar se ata ndërtuan një stadium të ri për eventin dhe e mirëpritën në vendin e bukur.

Kjo nuk është një falënderim i zakonshëm për Ye, i cili rrallë herë nxjerr në pah figura politike në këtë mënyrë. Koncerti u zhvillua në stadiumin e përkohshëm Eagle, të zgjeruar posaçërisht për rastin, me kapacitet deri në 60 mijë spektatorë.

Qeveria shqiptare, nën udhëheqjen e Edi Ramës, alokoi rreth 4 milionë euro fonde emergjence për të garantuar suksesin e eventit, pavarësisht kritikave të forta nga opozita dhe disa qytetarë që e konsideruan figurën e Ye-së kontroverse për shkak të deklaratave të tij të mëparshme. Rama e mbrojti vendimin si një mundësi historike për të promovuar Shqipërinë si destinacion turistik global, duke parashikuar një impakt ekonomik prej mbi 100 milionë eurosh nga vizitorët nga 80 vende të botës.

Ye mbërriti në Tiranë të premten, ku pati edhe një takim me kryeministrin, i cili i dhuroi një libër mbi kulturën shqiptare. Koncerti solli energji të madhe, me interpretimin e hiteve si “Praise God”, “Black Skinhead” dhe “Fade”, duke krijuar një atmosferë elektrike mes fansave që kishin blerë bileta që nga muaj më parë.

Pavarësisht polemikave paraprake, eventit i doli mbanë dhe u kthye në një moment bashkimi për shumë entuziastë të muzikës. Ye, një nga artistët më ndikues të brezit të tij, ka pasur një karrierë plot kthesa, nga sukseset komerciale te debatet publike, por në Shqipëri duket se gjeti një mirëpritje të ngrohtë që e la të prekur.

About Author
Yllka Gashi
View All Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts