Një operacion i Policisë së Kosovës në Ferizaj ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar për kanosje, armëmbajtje pa leje dhe dëmtim të pasurisë.
Sipas Policisë, rasti është raportuar më 13 korrik, pasi një qytetar me inicialet M.B. ka denoncuar se ishte kërcënuar nga disa persona.
Pas hetimeve fillestare dhe veprimeve operative, njësitet policore kanë arritur të identifikojnë të dyshuarit dhe t’i lokalizojnë ata në një lokal në Ferizaj.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar katër armë zjarri dhe një sasi municioni, të cilat dyshohet se ishin në posedim të personave të arrestuar.
Të ndaluarit janë identifikuar si H.TH., 50 vjeç, SH.TH., 27 vjeç, E.B., 37 vjeç dhe E.H., 27 vjeç.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj katër të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Ata dyshohen për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.




















