Modeli i ri kinez i inteligjencës artificiale Kimi K3, ka pezulluar përkohësisht pranimin e abonimeve të reja, vetëm pak ditë pas lansimit, pasi kërkesa e lartë tejkaloi kapacitetin e kompanisë për ta përballuar fluksin e përdoruesve.
Kompania Moonshot AI, me seli në Pekin, njoftoi se interesi për modelin e saj të ri ka qenë shumë më i madh sesa ishte parashikuar. Sipas saj, gjatë 48 orëve të para pas publikimit, kërkesa iu afrua kufijve maksimalë të kapacitetit ekzistues.
“Kimi K3 ka marrë shumë më tepër interes sesa prisnim. Po shtojmë kapacitetin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe abonimet e reja do të rihapen gradualisht”, thuhet në njoftimin e Moonshot AI, shkruan AP, përcjell KosovaPress.
Për momentin, kompania do t’u japë përparësi abonentëve ekzistues, ndërsa përdoruesit e rinj do të duhet të presin deri në zgjerimin e kapaciteteve.
Kimi K3 konsiderohet modeli më i madh i inteligjencës artificiale me kod të hapur në botë, me 2.8 trilionë parametra, një tregues që lidhet me aftësitë dhe kompleksitetin e modelit. Ai është prezantuar si një konkurrent i drejtpërdrejtë i modeleve të zhvilluara nga kompani si OpenAI dhe Anthropic.
Analistët e industrisë vlerësojnë se popullariteti i papritur i modelit ka vënë në provë infrastrukturën teknologjike të Moonshot AI. Sipas Lian Jye Su, analist në kompaninë kërkimore Omdia, kompania nuk e kishte parashikuar shkallën e interesimit për K3, ndërsa kërkesat e larta për fuqi kompjuterike e bëjnë funksionimin e modelit të kushtueshëm dhe sfidues.
Publikimi i Kimi K3 ka shtuar konkurrencën në garën globale të inteligjencës artificiale, ndërsa modelet kineze me kosto më të ulët po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare. Zhvillimi ka ushtruar presion edhe mbi kompanitë amerikane të teknologjisë, mes shqetësimeve se modelet kineze mund të sfidojnë dominimin e tyre në treg.
Ndërkohë, edhe kompani të tjera kineze po prezantojnë modele të reja të AI-së. Alibaba së fundmi prezantoi modelin Qwen3.8 Max, ndërsa startup-i Zhipu (Z.ai) publikoi modelin GLM-5.2, duke dëshmuar ritmin e shpejtë të zhvillimit të inteligjencës artificiale në Kinë.




















