Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 21 korrik seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit.
Sipas njoftimit të gjykatës, Endrit Llapashtica akuzohet se, në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa ai dhe Dardan Marevci akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata bën të ditur se, me propozim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, procedura do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në ngritjen e aktakuzës.
Përmes njoftimit publik, gjykata u ka bërë thirrje Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Po ashtu, qytetarët që kanë informacione për vendndodhjen e tyre ftohen t’i njoftojnë Policinë e Kosovës ose organet kompetente.
Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 21 korrik 2026, në orën 09:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, objekti D, salla 27, dhe do të drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.
Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci janë të përfshirë në procesin gjyqësor për përleshjen e armatosur që ndodhi në shtator të vitit 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë, ku mbeti i vrarë Premtim Gashi.




















