Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në shënim të 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, ka organizuar konferencën rajonale me temë: “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Kransiqi Goodman , tha se data 14 prill 1999 është një ditë që ia ndryshoi jetën.
Ajo shtoi se shpirti i saj do të ketë paqe vetëm atëherë kur drejtësia do të shkojë në vend.
“Sot është 14 prilli. Për shume juve është vetëm një ditë në kalendar, por për mua është një ditë që ma ndryshoi jetën, ma prishi fëmijërinë. Unë du me fol prej shpirti, unë e di çka do të thotë të ballafaqohesh me padrejtësi prej ndërkombëtarëve, edhe prej shtetit tonë. Isha vetëm 17 vjeçare kur kërkova drejtësi dhe kurrë nuk u ndala. Në vitin 2013 derisa mu ma mohuan drejtësinë ndërkombëtarët dhe shteti jonë. Por kur nisa të flas publikisht në 2018 filloi ndryshimi, edhe çka do të thotë një ndryshim i vogël për dikënd, çfarë ndryshimi të madh bën për të tjerët. Prej atëherë kemi katër raste që janë dënuar e që përpara kjo nuk ka ekzistuar as prej shtetit tonë e as prej ndërkombëtarëve kështu qe unë jam krenare për ndryshimet që po ndodhin në shtetin tonë. Ju bëj thirrje që të dilni publikisht dhe të kërkoni drejtësi…Shpirti jem ka me pas paqe kur drejtësia shkon në vend, jo vetëm për rastin tem por për 20 mijë viktima tjera”, u shpreh ajo.
Kurse, drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se edhe pas 27 vjetësh shumë raste kanë mbetur të pandëshkuara.
Ajo shtoi se drejtësia nuk është e plotë pa kompensimin e viktimave, raporton EO.
Kurse, nënkryetari i parë i Kuvendit, Ardian Gola, tha sfida që kanë përballë qëndron te hendeku që vazhdon të ekzistojë ndërmjet njohjes së krimit dhe ndëshkimit të autorëve.
Ndërkaq, ministrja e drejtësisë, Donika Gërvalla tha se dikasteri të cili ajo e udhëheq ka pasur në fokus të veçantë çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale.



















