Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Kroaci, është takuar me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka zhvilluar takim dhe kanë mbajtur një konferencë të përbashkët, ku është folur për disa tema, raporton Gazeta Sinjali.
Ndër të tjera, temë ka qenë edhe siguria dhe konkretisht sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në fund të muajit të kaluar.
Kurti në fjalën e tij tha se ky sulm ishte i orkestruar nga Serbia, duke shtuar se ndonëse po pritet përfundimi i hetimit, sipas tij përgjegjësit s’janë qytetarë të zakonshëm.
“Duhet të presim se cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve. Ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarët e zakonshëm dhe se na bën të besojmë që një sulm i këtillë vjen i mbështetur dhe orkestuar nga Serbia siç ishte edhe rasti me sulmin në Banjskë apo atë me sulmin e KFOR’it në maj 2023 apo rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq në qershor 2023”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe sulmet e mëhershme ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Kurse kryeministri i Kroacisë, Plenkoviq, theksoi se të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen me dialogun mes dy shteteve, që siç tha ai, duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“E kam përmendur që ky incident s’është i ri, ka pasur tri së paku sulme që kanë ndodhur dhe sa i përket Kroacisë, do të analizohen shumë thellësisht dhe janë marrë me shumë shqetësim. Besojmë tek dialogu Kosovë-Serbi që të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke. Dhe të çojë tek pozita që Kosova të marrë rrugëtimin e saj adekuat drejt BE-së. Procesi mund të mos jetë i shpejtë për shkak të 5-shes që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën”, ka thënë Plenkoviq.