Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas pjesëmarrjes në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, në Forumin e Paqes, është takuar me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire.
Sipas njoftimit për media në këtë takim është biseduar lidhur me programin e Qeverisë së Kosovës për banimin e përballueshëm dhe social.
“Me kryetarin Grégoire, i cili është një nga anëtarët e aleancës evropiane të kryetarëve të bashkive për banim (Mayors for Housing Alliance), biseduam për përvojat dhe mundësitë e ndërveprimit konkret. E njoftova për programin tonë të Banimit të Përballueshëm dhe Social që po zhvillohet, avancon dhe do të zgjerohet, sikurse për projektin e Banimit Social Adekuat, që do të shtrihet në 21 komuna gjithandej vendit”, u shpreh Kurti.
Tutje Kurti ka shtuar se, “jemi të interesuar që të forcojmë lidhjet me Parisin nëpërmjet bashkëpunimit praktik që i shërben qytetarëve tanë dhe që bashkon komunitetin kulturor, duke mirëpritur ekspozita, filma, ngjarje letrare e artistë nga kryeqyteti francez. Mërgata dhe profesionistët tanë kulturorë mund të jenë lehtësues të këtyre shkëmbimeve”.


















