Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dje njoftoi se po zhvillohen gërmime në fshatin Kalludër të Zubin-Potokut, ku dyshohet të jetë një varrezë masive me mbetje mortore që i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Dje dhe sot, disa herë u pretendua se bëhet fjalë për grupin e intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur nga prilli i ’99-tës.
“Dyshimi ynë i menjëhershëm kur kemi marrë vesh se janë gjetur mbetje mortore, natyrisht ka qenë se bëhet fjalë për grupin e intelektualëve, 23-sosh, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill të vitit 1999, pra grupi i intelektualëve në Mitrovicë. Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm; sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje…” deklaroi sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë shpalosjes së raportit për krime lufte.
IndeksOnline raporton se bëhet fjalë për emrat si në vijim: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkëlzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu.
Grupi në fjalë ishin zhdukur më 19 prill të vitit 1999.
Ata u ndaluan nga forcat serbe, gjatë rrugës për në Mal të Zi. Në mesin e tyre kishte doktorë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.
Gërmimet e nisura dje po vijojnë edhe gjatë ditës së sotme.
Nga ana tjetër, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, të identifikuar me inicialet M.J. dhe M.B., lidhur me hetimet që po zhvillon Prokuroria Speciale.
Atyre pritet t’u caktohet masa e paraburgimit sot, në një seancë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.




















