Të paktën dhjetë mbetje kockore të gjetura në tri varreza masive në Zubin Potok janë dërguar në Hagë për identifikim përmes analizës së ADN-së.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, gjatë një vizite në Kalludër, një nga lokacionet ku janë gjetur mbetje mortore, ka bërë të ditur se ato janë dërguar në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë.

Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë bërë të ditur se rezultatet e para nga Haga pritet të arrijnë së shpejti, pas përfundimit të procesit të dërgimit të mbetjeve kockore.

Gërmimet në këto lokacione kishin nisur në korrik, ndërsa më 21 gusht autoritetet njoftuan se kishte përfunduar procesi i gërmimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Sipas Prokurorisë Speciale, në tri varrezat masive janë gjetur mbetje mortore të të paktën 23 personave.

Lidhur me rastin, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile. Të njëjtit aktualisht ndodhen në paraburgim.

Autoritetet në Kosovë dyshojnë se mbetjet mortore të gjetura në varrezat masive në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë të Zubin Potokut mund t’i përkasin “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts