Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkonte me ngulm NATO-s vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë. Sipas tij, kështu do të ndaleshin sulmet ajrore të Rusisë. Sipas NATO-s dhe BE-së, nëse do të merrej ky vendim, lufta do të përhapej në gjithë Evropën.
Sulmet, kryesisht ajrore, të Rusisë në Ukrainë po vazhdonin, ndërsa Zelensky në një konferencë për media, të enjten, i kërkoi Perëndimit që menjëherë të vendosnin një zonë “të ndalim-fluturimit” mbi qiellin e Ukrainës.
Sipas presidentit ukrainas, një vendim i tillë i NATO-s, do të ishte “hapi më i rëndësishëm” për ndaljen e sulmeve ruse.
“Nëse nuk keni fuqi që të na siguroni një zonë të ndalim-fluturimit, m’i jepni mua avionët. A nuk do të ishte e drejtë, kështu”, kishte thënë Zelensky, kur ripërsëriti kërkesën e njëjtë ndaj NATO-s.
Por, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-së janë pajtuar që të mos vendosin zonë të ndalim-fluturimeve mbi Ukrainë.
Sekretari gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendosja e një “zonë të ndalimit të fluturimeve” do të zgjeronte luftën edhe në më shumë shtete evropiane.
“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por gjithashtu besojmë se po ta bënim këtë (vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit) do të përfundonim me diçka që mund të çonte në një luftë të plotë në Evropë, duke përfshirë shumë më tepër vende”, ka thënë Stoletenberg gjatë një konferencë për media në Bruksel, transmeton Gazeta Express.
Ai tha se NATO-s i duhet të mendoj që të mos i rris përmasat e luftës Rusi-Ukrainë dhe të mos shkaktojë edhe më shumë dëme.
“Në të njëjtën kohë, ne kemi përgjegjësi, si NATO, që ta parandalojmë eskalimin e kësaj lufte edhe jashtë Ukrainës, sepse do të ishte edhe më e rrezikshme, më shkatërruese dhe do të shkaktonte edhe më shumë vuajtje te njerëzit”, tha ai.