Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 24 orë një i mitur, i dyshuar për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 07:53, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pranë Postës Qendrore në Ferizaj.
Bazuar në informacionet fillestare, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar me një mjet të mprehtë (thikë) dy persona.
Pas incidentit, i mituri ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia e Kosovës, ai është lokalizuar dhe arrestuar.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se do të vazhdojë me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore lidhur me këtë rast.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person- i mitur, në kohëzgjatje prej 24-orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti ka ndodhur sot, më datën 10.07.2026, reth ores 07:53, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, dyshohet se i mituri ka sulmuar me mjet të mprehtë (thikë) dy persona të tjerë.
Fillimisht, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është lokalizuar nga ana e Policisë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale të lartëcekura.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit në këtë rast, do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore.




















