Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosë masë ndalese të pakohshme për import të ruminantëve të vegjël dele e dhi nga gjithë territori i Shqipërisë.
Në njoftim bëhet e ditur se kjo masë është vendosur pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës.
“Thërrasim për vëmendje komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitar. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Bazuar në situatë aktuale, fermerët është e rëndësishme të shtojnë kujdesin dhe të ndërmarrin veprimet si në vijim:
Të shmangni lëvizjet e panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën
Të raportoni menjëherë tek veterineri çdo shenjë të dyshimtë (ethe, rrjedhje nga hundët, dobësi, diarre)
Të kufizoni kontaktin e tufave tuaja me kafshë tjera sidomos në zonat kufitare
Të respektoni udhëzimet dhe këshillat e AUV-së.
Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre
Shtoni masat e biosigurisë në fermat tuaja.
PPR-ja është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet.
Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.



















