Një shofer është ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi u kap duke tejkaluar ndjeshëm shpejtësinë e lejuar në Ferizaj.
Sipas policisë, rreth orës 05:00 të mëngjesit, njësia e Komunikacionit Rrugor ndaloi një automjet të tipit BMW 318 me targa të huaja në rrugën magjistrale, në fshatin Prelez i Muhaxherëve.
Gjatë kontrollit u konstatua se shoferi H.S. (37 vjeç) po lëvizte me shpejtësi prej 111 km/h në një zonë ku kufizimi maksimal i lejuar është 50 km/h. Shpejtësia u mat me radar laserik.
Për këtë shkelje, policia i shqiptoi shoferit një gjobë prej 300 eurosh, i regjistroi 3 pikë negative dhe i ndaloi drejtimin e automjeteve për një periudhë prej tre muajsh.
Policia Rajonale e Ferizajt njofton se kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në trafik.




















