Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi se Qeveria nesër do të mbajë një mbledhje online, në të cilën do të shqyrtohen masat për formimin e çmimeve të derivateve të naftës. Ai shprehu pritjen që nafta të lirohet për 6 deri në 6,5 denarë për litër, ndërsa çmimi i benzinës të mbetet i pandryshuar ose të rritet për 0,5 denarë për litër.
“Sipas llogaritjeve tona, bazuar në analizat e lëvizjes së çmimeve në bursat botërore gjatë dy javëve të fundit, përkatësisht në gjysmën e dytë të majit, si dhe gjatë javës së fundit, presim që çmimet gradualisht të stabilizohen edhe te ne. Kjo do të thotë se norma preferenciale e TVSH-së për benzinat do të rikthehet nga 10 në 18 për qind, ndërsa ulja e akcizës prej dy denarësh për litër për naftën dhe benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktanë do të mbetet në fuqi, pasi çmimi mesatar në gjysmën e dytë të majit për këto derivate lëvizi mes 1.000 dhe 1.200 dollarëve për fuçi.
Po negociojmë me OKT për të parë se çfarë mund të bëhet. Ndoshta mund të sigurojmë një zbritje shtesë të paktën për gjysmën e parë të qershorit. Duke marrë parasysh të gjitha këto masa, pres që çmimi i benzinave të mbetet i njëjtë ose të ketë një rritje të vogël prej gjysmë denari, ndërsa nafta të lirohet rreth 6 deri në 6,5 denarë për litër. Këto janë përafërsisht shifrat që dalin nga kalkulimet tona, por mbetet të shihet llogaritja përfundimtare e organit rregullator”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se edhe pas ndryshimeve të reja të çmimeve të derivateve, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ketë karburantet më të lira në rajon.






























