Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 35-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e partisë politike “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale”.
Më 17.03.2026, iniciativa qytetare e quajtur “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale”, me akronim PQMS, e cila udhëhiqet nga z. Sali Salihu, ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim, duke i bashkangjitur dokumentet e kërkuara sipas Rregullores Nr. 01/ 2024 Regjistrimi dhe Funksionimi i Partive Politike.
Pas pranimit të aplikacionit për regjistrim të iniciativës politike, Zyra ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, duke filluar nga: Statuti, programi, akti i themelimit, simboli, raporti financiar, libreza e nënshkrimeve të përkrahjes së votuesve të regjistruar dhe taksën e regjistrimit në vlerën 500 Euro. Pas pranimit të këtyre dokumenteve, Zyra ka komunikuar me palët, duke i dërguar shkresën që përmban komentet për ndryshim. Iniciativës politike i është dhënë afat prej 5 ditësh për të dërguar ndryshimet në statut dhe numrin e mbështetësve. Para përfundimit të këtij afati, iniciativa politike ka aplikuar ndryshimet e kërkuara dhe ka dorëzuar materialet në Zyrë.
Pas verifikimit përfundimtar të të gjitha dokumenteve që kërkohen për regjistrimin e iniciativës politike si parti politike, Zyra ka shpallur në shqyrtim publik kërkesën e kësaj iniciative politike nga 1 prill deri më 7 prill 2026. Gjatë kësaj periudhe nuk është pranuar asnjë ankesë që ndërlidhet me aplikimin për regjistrim të saj.
Nisma qytetare “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale” pas regjistrimit nga KQZ, do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës dhe do të jetë partia politike me numrin rendor: 53.



















