Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka deklaruar në konferencë për media se kryetari i komunës, Sami Lushtaku, do t’i përgjigjet ftesës së prokurorisë sapo ajo të pranohet zyrtarisht.
Ai ka theksuar se deri tani nuk ka pasur ftesë zyrtare për institucionin dhe se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë sapo të ndiqen procedurat ligjore, raporton RTV Dukagjini.
“Ndryshe ftesë zyrtare ende nuk kemi si institucion. Jemi duke e prit. Në momentin që e kemi ftesën zyrtare, sigurisht që zoti Lushtaku do t’i përgjigjet…”, ka thënë Nura.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se disa persona të përfshirë në rast nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim, përfshirë edhe kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, sipas njoftimit zyrtar.
Nura ka komentuar gjithashtu edhe reagimet politike pas incidentit, duke thënë se gjuha e përdorur nga përfaqësues të Lëvizja Vetëvendosje është e papranueshme dhe e tensionuar.
“Ne kemi manifestuar mendime ndryshe (me Mehanin), por gjuha kontamiuese të ciline ka promovuar VV-ja, po flas i koncept politik është e papranueshme. Shpesh këtë gjuhe e ka përdorur edhe në Kuvend… manifestimi i mendimit ndryshe mund të artikulohet edhe pa këtë lloj gjuhe. Thjesht me një komunikim të drejtpërdrejt, sinqertë, çfare i duhet një asamblesitë në këtë rast…”, ka shtuar Nura.











