Forcat e sigurisë kryen një operacion kontrolli në Ankara të martën përpara samitit të NATO-s muajin e ardhshëm dhe arrestuan më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste, përfshirë organizatën Shteti Islamik (ISIS) .
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet t’u bashkohet udhëheqësve të tjerë të aleancës me 32 anëtarë në kryeqytetin turk për samitin më 7-8 korrik, raporton Euronewsalbania.
Turqia po planifikon masa të rrepta sigurie për samitin, duke përfshirë ndalimin e demonstratave dhe kufizimin e aksesit në rrugët që të çojnë në aeroporte, si dhe izolimin e zonave të tëra përreth vendit të samitit dhe hoteleve që presin delegacionet.
Qeveria e Rexhep Tajip Erdoganit i ka dhënë përparësi sigurisë dhe autoritetet kryejnë rregullisht bastisje sigurie. Muajin e kaluar, forcat e sigurisë arrestuan 324 persona të dyshuar për lidhje me ISIS-in në një operacion mbarëkombëtar.
Herët këtë mëngjes, prokurorët turq lëshuan urdhër-arreste për 241 të dyshuar dhe 209 prej tyre u arrestuan më pas në bastisjet e policisë dhe xhandarmërisë rreth Ankarasë, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm në një deklaratë. Bastisjet ishin ende në vazhdim të martën vonë për të arrestuar të dyshuarit e mbetur.
Midis të arrestuarve ishin 56 të dyshuar si luftëtarë të Shtetit Islamik dhe 35 anëtarë të Partisë Frontit Revolucionar të Çlirimit të Popullit, një grup i ekstremit të majtë i njohur për sulme të armatosura dhe vrasje në Turqi.
Grupi Shteti Islamik ka kryer gjithashtu sulme të shumta vdekjeprurëse në Turqi, përfshirë një sulm me armë natën e Vitit të Ri 2017 në një klub nate në Stamboll që vrau 39 persona.



















