Një vrasje ka ndodhur ditën e sotme (e mërkurë) në rrugën “Ndue Perlleshi” në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në rrugën ” Ndue Perlleshi” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti për Telegrafin.
Siç mësohet, i qëlluari është Albert Krasniqi, i cili para disa viteve ka qenë menaxher dhe njëri nga themeluesit e labelit, ‘BabaStars’.
I njëjti ishte i përfshirë në plagosjen e reperit nga Shqipëria, Noizy, ngjarje kjo që ndodhi në shtator të vitit 2016.Lexo po ashtu:
Krasniqi ndërkohë ishte dënuar nga gjykata me 6 muaj burgim me mundësinë që dënimin ta shlyente me para. Vendimi i gjykatës po ashtu e ngarkonte Krasniqin edhe me një dënim shtesë prej 8 mijë eurosh për veprat e tjera në aktakuzë.
Alberti në anën tjetër është njohur për publikun edhe si bashkëshorti i ish-Miss Kosova 2006, Besa Gashi, me të cilën ishte i martuar prej shumë vitesh.
Ditë më parë u bë e ditur se Besa dhe Alberti kanë ndarë rrugët, teksa dyshimet u shtuan me largimin e fotografive të përbashkëta që kishin në rrjete sociale.
Ata janë prindër edhe të një vajze të quajtur, Kaia. /Telegrafi/