Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë një paralajmërim se rasti i helmimit masiv në Deçan do të marr epilog dhe do të dihet shkaktari i helmimit.
Ai ka publikuar një fotografi në Facebook, sipër së cilës ka shkruar se po merr fund “misteri”, derisa ka shtuar se “populli nuk ia huq kurrë”.
Për situatën e krijuar, Ramosaj do të mbajë edhe një konferencë për media.null
“Të nderuar përfaqësues të mediave të shkruara dhe elektronike, ju njoftoj se, për situatën e krijuar rreth helmimit të qytetarëve të komunës sonë, sot dt.15.07.2021, në ora 16:00 do të mbahet konferencë për media, në sallën e katit të tretë në objektin e komunës së Deçanit”, ka njoftuar Ramosaj.
Ndryshe, Deçani po përballet me helmim masiv qe disa ditë. Shkaktari i helmimeve nuk dihet ende, mirëpo sipas banorëve mund të jetë uji i pijes.
Deri tash, mbi 2 mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, meqenëse kanë pasur simptoma të helmimit.