Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Prishtinë, ku i vrarë mbeti biznesmeni Albert Krasniqi.
Krasniqi dyshohet se është qëlluar për vdekje nga babi i tij Skënder Krasniqi.
Përmes raportit 24 orësh, policia ka njoftuar se në vend ngjarje janë gjetur dhe konfiskuar një revole, një karikator, tre fishekë, një gëzojë dhe një predhë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën vrasje e rëndë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore, prokurori i shtetit, njësia e mjekësisë ligjore dhe ekipi i urgjencës i cili e ka konfirmuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes gjithashtu janë gjetur dhe konfiskuar: një revole, një karikator, tre fishek, një gëzhojë dhe një predhë”, thuhet në raportin e policisë.
Policia ka njoftuar se me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kujtojmë se i ndjeri Albert Krasniqi ishte bashkëshorti i ish-Miss Kosova, Besa Gashi, por që lidhja e tyre martesore përfundoi disa ditë më parë.
Ata janë prindër edhe të një vajze të quajtur, Kjara. Motivet e vrasjes ende mbesin të paqarta.