Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Dhuka, kanë hapur sot në Tiranë një punëtori për shkëmbimin e përvojave nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas njoftimit, kjo punëtori e një dite është rezultat i dakordimit për thellimin e bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian, i arritur gjatë takimit të parë ndërmjet dy kryenegociatorëve më 20 prill.

Gjatë takimit të sotëm është diskutuar për organizimin e përgatitjeve për pyetësorin, fazën e “screening”-ut dhe krijimin e trupave ndërinstitucionalë negociues.

Në njoftim theksohet se Kosova synon marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ky proces, sipas tyre, po shoqërohet me përgatitje të hershme institucionale, në mënyrë që institucionet të jenë të gatshme për përgjigje të shpejtë, të koordinuar dhe cilësore sapo të merren vendimet përkatëse.

Po ashtu, theksohet se përvoja e Shqipërisë në këtë proces vlerësohet si e rëndësishme për ndërtimin e strukturave të nevojshme për negociatat me Bashkimin Evropian.

Zulfaj ka vlerësuar punën e Dhukës dhe ekipit të saj në procesin e negociatave me BE-në, duke shprehur mirënjohje për gatishmërinë e tyre për të ndarë përvojën e Shqipërisë në këtë rrugëtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts