Ndonëse kanë kaluar gjashtë muaj që kur ka hyrë në fuqi të paga minimale në Kosovë prej 350 euro bruto, punëtorët teknik të shkollave të mesme në Drenas, ende marrin pagë 237 euro neto.
Kështu ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, sipas së cilës, çdo punëtorë deri më tani është i dëmtuar për 558 euro.
“Federata jonë njoftoi me kohë Inspektoratin e Punës dhe Drejtorin e arsimit të Drenasit, Muhamet Gjoka, por deri më tani asgjë përmirësuese. Ne tani jemi në përgatitje për fillimin e grevës deri në rritjen e pagës 405 euro”, ka njoftuar kjo sindikatë.
Paga minimale në Kosovë ndryshoi nga 1 tetori i vitit 2024. Nga kjo datë, paga më e vogël që punëdhënësit mund t’i paguajnë punonjësit është 350 euro bruto.











