Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar opinionin publik se gjatë realizimit të projektit për modernizimin e njësive gjeneruese në Termocentralin “Kosova B”, janë zbatuar masa standarde parandaluese për trajtimin e materialeve izoluese të identifikuara në zonën ku po zhvillohen punimet.
Sipas KEK-ut, në kuadër të procedurave të sigurisë janë marrë mostra nga ekspertë gjermanë për analiza profesionale, ndërsa për verifikime shtesë është kërkuar edhe mbështetja e ekipeve të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të sigurisë.
KEK thekson se deri më tani nuk është evidentuar asnjë rrezik, nuk ka punonjës të lënduar apo të prekur në aspektin shëndetësor dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese dhe mbrojtëse për sigurinë e punëtorëve dhe zhvillimin normal të aktiviteteve.
“Në kuadër të këtyre procedurave parandaluese, janë marrë mostra nga ekspertë gjermanë për analiza profesionale, ndërsa njëkohësisht është kërkuar edhe mbështetja e ekipeve të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në funksion të verifikimeve shtesë profesionale dhe respektimit të standardeve më të larta të sigurisë. Theksojmë se nuk ka asnjë rrezik të evidentuar, asnjë punonjës të lënduar apo të prekur në aspektin shëndetësor, ndërsa KEK ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese dhe mbrojtëse për punëtorët dhe mbarëvajtjen e sigurt të aktiviteteve. KEK mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së punonjësve dhe informimit transparent të publikut”, ka njoftuar KEK-u.











