Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë gjobitur për përdorim të gjuhës së urrejtjes, nga PZAP-ja.
Në vendimet e publikuara nga përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, kuptohet se AAK-ja është gjobitur me 20 mijë euro pasi ka përdorur gjuhë urrejtjeje ndaj u.d e presidentit, Vjosa Osmanit.
“AAK, përmes një videoincizimi kishte përdorur gjuhë linçuese e degraduese, që në vetvete përbën gjuhë të urrejtjes duke e krahasuar U.D Presidenten Vjosa Osmani me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Dhe për këtë ky subjekt politik është gjobitur me 20,000.00 (njëzet mijë euro)”, shkruan në Facebook.
Ndërkaq PDK-ja me 1 mijë euro për gjuhë kundër kreut të VV-së, Albin Kurtit.
“Në vazhdën e kësaj, mbështetësi i PDK-së, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj kryeministrit të ardhshëm Albin Kurti, duke manipuluar me një vidoincizim kinse në një tubim të mbajtur në Shtërpcë, Lista Serbe po e përkrah Lëvizjen Vetëvendosje. Në postimin e tij në Facebook, ai kishte krahasuar Albin Kurtin me figurën e Esat Pashë Toptanit”, sqaron Sallahu.
Për të dyja rastet, VV-ja ishte ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.